Dy vite me rradhë të luash në fazën “play-off” të Liga Evropa, nuk është rastësi. Kështu thotë njëri ndër futbollistët më standard te skuadra e Shkëndijës, Ardian Cuculi, i cili beson në një rezultat të mirë në ndeshjen ndaj gjigandëve italian të Milanit.
“Normalisht kemi një sfidë të vështirë, është raundi i katërt “play-off” i Liga Europa. Dy vite me rradhë po e bëjmë këtë hap, përsërisim këtë rezultat dhe nuk është kjo gjë rastësi. Dominimi ynë në ndeshjet e deritanishme të zhvilluara në kuadër të Liga Europa, fati ynë deshi që tash të ndeshemi me Milanin. Një skuadër që nuk don shumë fjalë, një skuadër me kualitet shumë të lartë në futbollin evropian. Ne këtu në Milano kemi ardhur për të prezantuar sa më mirë dhe në mënyrë dinjitoze futbollin e Maqedonisë dhe normalisht duke e dhënë më të mirën tonë dhe duke bërë që Shkëndija në këtë ndeshje të dalë sa më mirë. Nuk kemi gjë për të humbur, thjeshtë vijmë të bëjmë punën tonë dhe në fund të shpresojmë në një rezultat të mirë” – tha Ardian Cuculi, i cili është i vetëdijshëm për kualitetin që posedon skuadra kundërshtare, ashtu që rolin e favoritit ja lënë Milanit, por që në futboll jo çdo herë dijnë të fitojnë favoritët.
Rast i mirë dhe më i freskët, është ai me PSV Ajndhovenin holandez, që u eliminua që në raundin e tretë të Liga Evropa nga skuadra kroate e Osijekut, ku luan dyshja shqiptare, Muzafer Ejupi-Eros Grezda.