Reali i Madridit ka bërë një hap të madh drejt edhe një titulli tjetër të sezonit të ri të sapo filluar. Pas SuperKupës së Evropës, “mbretërit” kanë bërë një hap të madh drejt triumfit edhe në SuperKupën e Spanjës, pasi sonte në ndeshjen e parë nga gjithsej dy përballje, mundën rialët e tyre të përjetshëm, Barcelonën me rezultatin 3:1, shkruan “infOSport.mk”.
Për më tepër kjo fitore u arrit në “Kamp Nou” që shton në peshë. Një autogol i Zherard Pike në minutën e 50-të kaloi në epërsi Realin, teksa për barazimin e Barcelonës u përkujdes, Lionel Messi, i cili ishte i saktë nga pika e bardhë në minutën e 76-të.
Për epërsinë e dytë të “mbretërve” në këtë përballje u përkujdes futbollisti i tyre më i mirë Kristiano Ronaldo me një super gol të shënuar në minutën e 80-të.
Festa e Ronaldos ishte e madhe, duke xhveshur madje fanellën, për të cilin gjest u ndëshkua me kartonë të verdhë, ndërsa nuk vonoi shumë, për shkak të një simulimi, gjithnjë sipas arbitrit, Ronaldo në minutën e 82-të u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën me një futbollist më pak në fushë. Megjithatë “madrilenët” luajtën me zemër dhe deri në mbyllje të takimit, pas një kundërzbritjeje të shpejtë me anë të talentit të tyre, Marko Asensio shënuan edhe golin e tretë, që ndoshta ishte edhe më i bukuri i mbrëmjes së sotme në “Kamp Nou”.
Ndeshja e dytë finale e SuperKupës midis Realit të Madridit dhe Barcelonës në program është të mërkurën (16 gusht), atëherë kur edhe përfundimisht njëra prej skuadrave do të ngrit lartë trofeun e SuperKupës së Spanjës.