Ardin Dallku, ndryshe vëllai i vogël i Armendit, ka rezultuar deçiziv në fitoren e skuadrës së tij Vorskla Poltava në transfertën ndaj Stal Kamianske.
22-vjeçari kosovar shënoi golin e vetëm dhe të fitores për skuadrën e tij në minutën e 91-të, duke i siguruar tre pikë të mëdha skuadrës së tij në sezonin e ri futbollistik në elitën e futbollit ukrainas, ku tashmë janë zhvilluar 5 xhiro.
Ndryshe ishte kjo fitorja e tretë për ekipin e Vorskla Poltava dhe goli i parë i shënuar nga ana e Ardin Dallkut në kampionatin elitarë ukrainas, ku është duke zhvilluar vetëm edicionin e tij të dytë. Ai sezonin e kaluar me fanellën e Vorskla Poltava regjistroi 12 ndeshje, ndërsa gjatë këtij sezoni ka luajtur në të gjitha 5 ndeshjet, edhe atë gjatë gjithë 90-të minutave.
Falë kësaj fitore Vorskla Poltava tashmë renditet në pozitën e tretë në renditjen tabelare me 10 pikë, duke qenë në ndjekje të dy skuadrave shumë të njohura ukrainase, Dinamo Kiev dhe Shahtar Donjetsk që kanë 13, gjegjësisht 12 pikë.