Qatip Osmani ka diçka edhe për “Ballistët”

Pas 5 viteve Qatip Osmani sërish është rikthyer te Shkëndija, te e cila skuadër ka respketin maksimal, si nga drejtuesit e skuadrës, po ashtu edhe nga grupi i tifozëve “Ballistët”, të cilët gjatë ndeshjes së sotme ndaj Vardarit disa herë në korr përmendnin emrin e tij.

Ai në intervistën për “SuperSport” falënderoi “Ballistët” dhe gjithë ata që e përkrahin: “Jam i lumtur se ky publik çdo herë më ka përkrahur, edhe si futbollist, edhe tash si trajner. Ata çdo herë më kanë dhënë përkrahje të plotë, madje edhe në momente të vështira, ata më kanë dhënë përkrahje dhe publikisht i falënderojë për përkrahjen që ma dhanë personalisht”.

Ai më tej foli edhe për vetë ndeshjen me Vardarin, duke potencuar se nga ngjarjet që ndodhën në teren, Shkëndija është dashur të fitoj me një rezultat edhe më bindës.

“Kjo është fitore shumë e rëndësishme për neve dhe më se meritore për të gjithë neve. Dominuan gjithë ndeshjen, ishim të organizuar në secilen pjesë të fushës, për të cilat tregojnë edhe rastet e shumta që i kishim, por edhe fakti që Vardari që kishte vetëm një kanosje në portën tonë nëpërmjet Blazhevskit. Para sfidës, fitore me dy gola do të kishim qenë të kënaqur, por nëse shikojmë ngjarjet që ndodhën në fushë, ky triumf është shumë i vogël. Gjithsesi me rëndësi është që filluam me tri pikë”, – u shpreh trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.

Shkëndija falë golave të shënuar nga Armend Alimi dhe Stenio Zhunior në një periudhë prej 5 minutash (60-65’) mundi Vardarin 2:0, duke bërë që atmosfera në skuadër të jetë edhe më e mirë në prag të ndeshjes historike kundër Milanit në “San Siro” me 17 gusht, ndeshje kjo e vlefshme për fazën “play-off” të Liga Evropa.

Leave a Reply