Shkëndija është duke u përgatitur për angazhimet e ardhshme në kampionatin elitar të Maqedonisë, si dhe përballjet me gjigandët italian të Milanit në fazën “play-off” të Liga Evropa.
Interesi i madh për duelet me 7 herë kampionët e Europës ka bërë që klubi të mendojë për tu ofruar më shumë mundësi tifozëve.
Me këtë rast për të shmangur çdo problem që mund të paraqitet, biletat për ndeshjen e kthimit ndaj Milanit në Shkup, ndeshje kjo që në program është me datë 24 gusht janë lëshuar në shitje që tani, ndërsa sot është paraparë shoqërim me tifozët nga ana e tre futbollistëvëve të Shkëndijës.
Fjala është për Ferhan Hasanin, Besart Ibraimin dhe Ardian Cuculin, të cilët do të qëndrojnë në “Fan Shopin” e klubit nga ora 14:00 deri në orën 16:00 për tu shoqëruar me tifozët që në këtë periudhë do të blejnë bileta për takimin Shkëndija-Milani.
Të gjithë mund të shfrytëzojnë këtë mundësi për të parë nga afër dhe për tu fotografuar me tre nga lojtarët e ekipit që po bënë historinë dhe që tifozëve u sjell mundësinë dhe njëherit kënaqësinë që nga afër të shohin emra të mëdhenj të futbollit, siç janë futbollistët e Milanit, një ndër skuadrat me më shumë trofe në Evropë.