Si duket merkatoja e kësaj vere është e mbushur me shumë lëvizje të futbollistëve shqiptarë në klube të ndryshme nëpër Europë.
Një transfer ka bërë edhe futbollisti nga Kosova, por i rritur në Zvicër, Bujar Lika. Mesfushori shqiptar sot është prezantuar te Fc Schaffhausen. Transferi i tij bëhet nga Fc Wohlen. Fc Schaffhausen mban pozitën e parë në ligën e dytë të futbollit zvicerian.
Klubi është pretendent që këtë vit të ngjitet në ligë të parë, ndërsa në një prononcim për “infOSport.mk”, Lika thotë se ishte një vendim i duhur në këto momente kur po mendon për progres në karrierën e tij: “Them se është vendimi i duhur. Kam qënë pjesë e disa klubeve, kam pasur besimin e trajnerëve edhe si kapiten, por tani duhet t’i shtyjmë disa procese përpara. Fc Schaffhausen është klub i njohur në Zvicër. Kam nderin të punoj me Murat Yakin, i cili është trajneri i klubit dhe numëron shumë suksese”.
25 vjeçari talentuar në klubin e ri do ta gjejë dhe futbollistin tjetër shqiptar, Imran Bunjaku.
Futbollisti Bujar Lika dallohet për aftësitë e tij, sepse pos si mesfushor difenziv i djathtë, ai gjindet mirë në shumë pozicione të tjera në fushë si mesfushor, ashtu edhe si sulmues.
Vlen të theksohet se ai ka pasur oferta të shumta nga klube të tjera europiane dhe shqiptare.
Pritet që sonte Lika te jetë në formacionin startues në ndeshjen e parë me fanellën e Fc Schaffhausen kundër Fc Aarau.