Shkëndija e Tetovës po kërkon futbollistë të rinj, por që kanë përvojë të madhe si në futbollin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtarë.
Duke pasur parasysh se “kuqezinjtë” nga Tetova edhe këtë vit kishin ndjerë mungesën e një bankine të fuqishme për ndeshjet në Liga Evropa, drejtuesit e kësaj skuadre nuk dëshirojnë ti lënë asgjë rastit, duke kërkuar që në skuadër të sjellin futbollistë me emër dhe që kanë një bagazh të mirë në ndeshjet evropiane.
Dy nga emrat më të lakuar për të veshur fanellën “kuq e zi”, janë dyshja e skuadrës kampione të Shqipërisë, Kukësit, Izair Emini dhe Nijas Lena.
Që të dy janë me origjinë nga Maqedonia dhe një interesim për ta nga një prej skuadrave më të fuqishme shqiptare në Ballkan, me siguri se është i mirëseardhur.
Emini edhe më herët ka qenë pjesë e skuadrës tetovare, madje është shpallur kampion me këtë skuadër, ndërsa Lena deri më tani në Maqedoni ka luajtur me fanellën e Makedonija Gjorçe Petrovit dhe Milanos së Kumanovës.
Për këtë të fundit interesohet edhe ish skuadra e tij, Teuta nga Durrësi, ashtu që Shkëndija do të duhet të fitojë këtë konkurrencë, teksa kur është në pyetje Emini, dëshira edhe e vetë futbollistit për tu veshur “kuq e zi” do i’a lehtësojë punën skuadrës së Shkëndijës, që pa dyshim se do të përfitonte një super futbollist në fazën ofenzive.