Nijas Lena është emri më i fundit që Shkëndija dëshiron ta bëjë për vete. Futbollisti strugan ka një eksperiencë të madhe në futbollin shqiptarë, ndërsa Shkëndija po tenton ta rikthejë atë në futbollin vendor. Ata veçmë kanë kontaktuar me futbollistin 31-vjeçar, i cili do të kishte qenë i mirëseardhur në mesfushën e skuadrës tetovare, pas dëmtimit të rëndë të Stefan Vujçiç, i cili me shumë gjasa do të mungojë gjatë gjithë sezonit vjeshtor.
“Po, është e vërtetë që kam pas kontakte me ekipin e KF Shkëndijës. Është kënaqësi kur je i kontakuar nga një skuadër siç është Shkëndija, mirëpo për momentin nuk mund të them asgjë, pasi gjithashtu jam në kontakte e sipër me drejtuesit e Teutës, të cilët më kanë ofruar një kontratë serioze” – tha enkas për “infOSport.mk”, Nijas Lena, i cili në pyetjen tonë nëse veçmë ka nënshkruar kontratë me skuadrën durrësake, u përgjigjë: “Jo akoma nuk kam firmos, pres edhe pak dhe më pas do bëjë zgjidhjen e duhur, besoj”.
Lajmin për transferimin e Nijas Lenës te Teuta e Durrësit e kishte publikuar “transfermarkt”, që merret me transferimet dhe të dhënat statistikore të futbollistëve thuajse nga e gjithë Bota. Sipas kësaj të fundit Lena që nga 05 gushti i këtij viti është pjesë e Teutës, mirëpo që nuk ka asgjë të vërtetë, pasi Lena ende nuk ka marrë lejekalimin nga skuadra e tij aktuale e Kukësit, me të cilën sezonin e kaluar në elitën e futbollit shqiptarë u shpallën kampion.