Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi është shpallur si futbollisti më i mirë në historinë e Ligës Spanjolle në një studim të bërë nga ana e Qendrës për Histori dhe Statistikë të futbollit spanjoll (CIHEFE).
Në analizën e përgatitur nga Hoze Antonio Ortega, merret parasysh paraqitja e të gjithë futbollistëve gjatë 86 viteve të kaluara në elitën e futbollit spanjoll.
Messi në këtë garë doli fitues përballë ikonës së Real Madridit, Raul Gonzales, ish futbollistit të Barcelonës, Sezar Rodrigez (ka luajtur në periudhën 1941-1960), Telmo Sara (Atletik Bilbao, 1940-1957), Enriko Kastro – Kini (Sporting Hihon/Barcelonë 1968-1987), teksa ylli portugez i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo është renditur vetëm në pozitën e 17-të.
Në këtë studim të bërë nga ana e Qendrës për Histori dhe Statistikë të futbollit spanjoll (CIHEFE), ku u përfshinë 9280 futbollistë, 854 prej të cilëve portier, vlerësimet janë bërë në bazë të koeficientit për ndeshje të zhvilluara, golat e shënuar nga loja apo përmes penaltive, etj. Pikë negative për futbollistët kanë sjellë autogolat e shënuar si dhe kartonët e kuq.
Messi është në krye më shumë për faktin e golave të shënuar, pasi është futbollisti i vetëm që ka shënuar më shumë se 300 gola, gjithsej 349. Më afër tij ndodhet Kristiano Ronaldo me 285 gola.
Në këtë renditje Lionel Messi ka tubuar 845 pikë, teksa Raul Gonzales 528 pikë.