Skuadra shqiptare e Flamurtarit për disa ditë me rradhë ndodhet në Mavrovë ku po zhvillon fazën përgatitore në prag të sezonit të ri futbollistik në Superligën shqiptare. Skuadra që udhëhiqet nga ish trajneri i Shkëndijës, Shpëtim Duro, gjatë qëndrimit të saj në vendin tonë ka zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore ndaj skuadrave të Ligës së Dytë, Makedonija Gjorçe Petrovit dhe Gostivarit.
Në ndeshjen e parë ndaj skuadrës shkupjane, Flamurtari kishte shënuar fitore me rezultatin 3:2, teksa në ndeshjen ndaj skuadrës së Gostivarit, skuadra nga Vlora kishte pësuar disfatë minimale 0:1.
Ndërkohë stafi teknik i vlonjatëve për nesër ka caktuar edhe një ndeshje tjetër, që do të jetë e fundit në kuadër të fazës përgatitore këtu në Mavrovë.
Flamurtari me fillim në ora 17:00 do të luaj ndaj skuadrës kërçovare të Zajazit, skuadër kjo që gjithashtu garon në Ligën e Dytë të Maqedonisë.