Te Milani kohëve të fundit po flitet për probleme financiare. Pas gjithë atyre prurjeve të reja, Milani tashmë e ka të vështirë të gjejë siguri financiare në banka, ndërsa duke pasur parasysh se nuk ka shlyer një pjesë të borxhit ndaj Lacios për transferimin e Biljas, nga tabori i “kuqezinjëve” janë duke menduar që në drejtim të “Olimpikos” të dërgojnë spanjollin Suso.
Futbollisti spanjoll gjithmonë ka deklaruar se dëshiron të mbetet te Milani, madje dhe Montella dhe Fassone janë shprehur pro qëndrimit të tij, megjithatë rinovimi i sulmuesit 24-vjeçar po vonon, ndërkohë që kontrata e tij skadon në vitin 2019.
Për një largim të tij të mundshëm nga “San Siro” ka shkruar edhe “Corriere dello Sport”, sipas së cilës Suso te Lacio do të zëvendësonte Keita Balden, që me ngulm po kërkohet nga treshja e madhe, Juventus, Napoli dhe Inter.