Shkëndija për të dytin vit me rradhë do të luaj në ndeshjet e “Play-Off” të Liga Evropa. “Kuqezinjtë” nga Tetova sot arritën që të eliminojnë skuadrë lituaneze të Trakai, duke përsëritur suksesin e vitit të kaluar, kur në ndeshjet e “Play-Off” u eliminuan nga skuadra e njohur belge e Gent.
Emrin e kundërshtarit të sivjetshëm Shkëndija do ta mësojë gjatë ditës së nesërme, kur është paraparë të hidhet shorti në Nion të Zvicrës, ndërsa lajm i mirë për gjithë ata tifozë të Shkëndijës, është se ndeshjen e “Play-Off”, skuadra tetovare do ta zhvillojë në Shkup, në stadiumin “Telekom Arena”.
Po në këtë fushë ndeshjen e saj të së njëjtës fazë do ta zhvillojë edhe Vardari, skuadër kjo e cila pas eliminimit në turin e tretë eliminatorë të Ligës së Kampionëve Evropian nga Kopenhageni, fitoi të drejtën për të qenë pjesë e ndeshjeve të “Play-Off” të Liga Evropa.
Kësisoj Maqedonia për herë të parë në historikun e saj do të ketë dy skuadra përfaqësuese në këtë fazë, ku shpresojmë të bëjnë hapin e madh dhe të sigurojnë një vend për në ndeshjet në grupe të Liga Evropa.
Rikujtojmë dy skuadrat më të mëdha në vendin tonë do të luajnë edhe në ndeshjen e parë të sezonit të ri në elitën e futbollit vendor, kur me 12 gusht do të përballen njëra me tjetrën në stadiumin e qytetit në Tetovë.