Shkëndija sërish do të luaj në fazën “Play-Off” të Liga Evropa, pasi sot në ndeshjen e kthimit naj Trakai shënoi fitore të pastërt 3:0, duke zhvlerësuar në këtë mënyrë fitoren e lituanezëve (2:1) nga ndeshja e parë në transfertë.
Të besuarit e trajnerit Qatip Osmani zhvilluan një ndeshje të përkryer sot në stadiumin “Mladost” në Strumicë, duke mos i lejuar kundërshtarit që të dërgojë ndonjë goditje brenda kuadratit të portës së Kostadin Zahov, i cili mbeti i papunë.
Fitoren dhe kualifikimin e madh të Shkëndijës e paralajmëroi bomberi kërçovarë, Besart Ibraimi me super golin e shënuar nga distanca në minutën e 29-të. Ishte ky goli i pestë personal për Ibraimin këtë edicion të Lga Evropa, duke treguar edhe njëherë tjetër cilësitë e tij të larta.
Pas këtij goli pasuan dy predha nga jashtë zonës, mirëpo që të dy tentativat e bëra nga ana e Ferhan Hasanit dhe Egzon Bejtullait përfunduan në shtyllë.
Mirëpo që gjërat të shkonin ashtu siç i kishte paraparë edhe vetë trajneri Qatip Osmani, u përkujdes, kapiteni Ferhan Hasani me një bombë të lëshuar nga gjuajtja e lirë në minutën e 43-të, kur shënoi për 2:0.
Ky rezultat solli shumë siguri në lojën e Shkëndijës, që me ritmin e njëjtë vazhdoi edhe gjatë pjesës së dytë, kur arriti të shënojë edhe një gol tjetër, sërish me autorë Ferhan Hasani, i cili në minutën e 88-të shënoi për 3:0, duke vendosur rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Shkëndija 3, Trakai 0.
Mysafirët nga Lituania nga minuta e 72-të luajtën me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit të Klimavicius, i cili dy herë u ndëshkua me kartonë të verdhë gjatë pjesës së dytë.
Tashmë Shkëndija pret kundërshtarin e rradhës në ndeshjet e “Play-Off”, të cilin do ta mësojë nesër pas orë 13:00 kur në Nion të Zvicrës do të hidhet shorti për ndeshjet në Liga Evropa, ndërsa një orë më parë, ai i ndeshjeve të “Play-Off” në Ligën e Kampionëve.