Gostivari ka shënuar edhe fitoren e dytë në kuadër të ndeshjeve kontrolluese që kjo skuadër po i zhvillon para startit të sezonit të ri në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, shkruan “infOSport.mk”.
Kundërshtarë i skuadrës nga Gostivari ishte Flamurtari i Vlorës, që udhëhiqet nga ish trajneri i Shkëndijës, Shpëtim Duro.
Gostivari falë golit të shënuar nga Ilirid Ademi në minutën e 10-të shënoi fitore minimale, ndërkohë sa i përket vetë ndeshjes, ajo ishte e balansuar, me raste shënimi për të dyja skuadrat.
Skuadra e Shpëtim Duros gjatë gjithë ndeshjes kërkonte golin e barazimit, mirëpo Gostivari, që në rradhët e veta gjatë kësaj merkatoje vere kishte ofruar disa futbollistë mjaft cilësorë nga Liga e Parë e Maqedonisë, nuk është dorëzuar dot para skuadrës vlonjate, e cila gjithashtu ka qenë mjaft aktive në merkato, duke sjellë plotë 10 futollistë të rinj, në mesin e të cilëve edhe 4 futbollistë nga Maqedonia, si Muhamed Useini, Artim Pollozhani, Goran Siljanovski dhe Viktor Nildo Xhufo.
Që të katër futbollistët e lartëpërmendur luajtën edhe në ndeshjen e sotshme të Flamurtarit, që pësoi disfatën e parë në kuadër të fazës së përgatitjeve që po i zhvillon në Maqedoni, duke pasur parasysh se në ndeshjen e parë kishin mundur Makedonija Gjorçe Petrovin me rezultatin 3:2.
Në anën tjetër ishte kjo fitorja e dytë rradhazi për skuadrën e Gostivarit, pas asaj fitore të realizuar ndaj Labunishtit (4:2).