Partizani ka bërë goditjen e parë të bujshme në këtë merkatoje vere. “Të kuqtë” nga kryeqendra shqiptare kanë arritur akordin me sulmuesin e kombëtares shqiptare, Edgar Çani, i cili do të jetë pjesë e nënkampionëve të Kategorisë Superiore për dy vitet e ardhshme.
Lajmin për “Panorama Sport” e ka konfirmuar vetë menaxheri i futbollistit, Mario Cenolli.
“Është arritur marrëveshja, presim vetëm të firmosim që të zyrtarizohet kontrata”, – ka thënë ai.
Gjatë ditës së sotme pritet të firmoset kontrata dhe të bëhet prezantimi i 28-vjeçarit me fanellën e skuadrës së tij të re, i cili sezonin e fundit është aktivizuar tek Piza e Gatuzos.
Sulmuesi shqiptar pritet të jetë zëvendësuesi i Ekubanit i cili u largua drejt Lidsit, ndërsa rikujtojmë se Partizani gjithashtu deri më tash ka transferuar edhe hungarezin, Kristian Adorian dhe italianin La Kamera.