Futbollisti i Bazelit, Taulant Xhaka nuk do të grumbullohet as nga ana e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare Kristian Panuçi. Burime të sigurta pranë “Sport Ekspres” bëjnë me dije se, për ndeshjen e radhës, ndaj Maqedonisë, Taulant Xhaka nuk do të ftohet, por rrezikon madje që të mbyllë vitin jashtë kombëtares, duke munguar edhe në ndeshjet me Spanjën, Italinë dhe Lihtenshtajnin.
Ka vetëm diçka që mund të ndërrojë “letrat në tavolinë”: një telefonatë mes vetë futbollistit kosovar dhe trajnerit italian.
Dhe, ai që duhet të telefonojë është vetë Xhaka, që ende s’dihet çfarë e ka shtyrë të refuzojë takimin me trajnerin e ri të Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, i cili kishte udhëtuar drejt Zvicrës për të ndjekur atë në ndeshjen kampionale që Bazeli i Xhakës e zhvilloi të dielën ndaj Lucernës së Hekuran Kryeziut.
Kristian Panuçi u takua me Burim Kukelin, por jo edhe me Xhakën, nga i cili donte të kuptonte qëllimet e tij dhe se çfarë kishte ndër mend të bënte.
Por, takimi nuk shkoi si duhej – Panuçi u irritua jashtë mase duke e pritur dhe madje, kërkoi që më pas të largoheshin drejt hotelit, duke mos preferuar më që t’i dërgonte as edhe një mesazh.
Mbetet të shohim se cili do të jetë reagimi i Taulant Xhakës, nëse do marrë hapin për të ju paraqitur trajnerit të ri dhe për të qetësuar gjakrat, por edhe zemrat e shumë tifozëve shqiptarë që presin një rikthim të mesfushorit kosovar në Kombëtaren shqiptare.