Lidhur me takimin midis Kosovës dhe Maqedonisë në basketboll që në program është sonte me fillim në ora 20:15, në një lidhje direkte në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, ka folur Leart Hoxha, anëtar i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Ai tha se pritjet janë të mira, madje sipas tij, ekipi i Kosovës e ka dhënë maksimumin dhe se ka gjasa që në fund të festojë ndaj Maqedonisë.
“Atmosfera është shumë e mirë dhe presim që salla të jetë e mbushur, kemi arsye të festojmë dhe besojmë se kemi gjasa. Na duhet një fitore në garën ndërkombëtare dhe nëse e fitojmë ketë ndeshje do të kemi mundësi të luajmë në kampionate botërore”, – tha Leart Hoxha.
Ai kërkoi nga tifozët që të mos bëjnë thirrje raciste, të cilat do ta dëmtonin imazhin e Kosovës.
”Si imazh ekipi kosovar ka nevojë për publik që e përkrah atë në mënyrë që të tregojmë autoritet në fushë”, – u shpreh Hoxha.
Të gjithë në FBK janë optimistë se Kosova në këto parakualifikime do të ketë paraqitje të suksesshme, duke pasur parasysh edhe lojërat e mira që i pati në ndeshjet miqësore.