Mungesa e Izair Eminit, Nijas Lenës dhe Enea Koliçit në stërvitjen e parë të kampionëve në fuqi të Shqipërisë, Kukësit, mund të ju sjellë gjoba futbollistëve të lartëpërmendur.
Që të tre pretendojnë se janë lojtarë të lirë, por te Kukësi deklarojnë se do të ketë masa ndaj tyre.
“Klubi i Kukësi ka nisur punën për sezonin e ri 2017-18 nën drejtimin e trajnerit Mlladen Milinkoviç. Të gjithë lojtarët që janë nën kontratë me ekipin kampion të Shqipërisë janë lajmëruar për të marrë pjesë për nisjen e përgatitjeve, më date 1 gusht 2017, në kompleksin sportiv “Internacional”, në Pezë. Në kuadër të fillimit të stërvitjes nuk janë paraqitur në seancën e djeshme stërvitore portieri Enea Koliçi, mesfushori Nijas Lena dhe sulmuesi Izair Emini. Klubi i Kukësit e sheh me shqetësim sjelljen e tyre dhe nuk është aspak i kënaqur. Klubi do të marrë masa për 3 lojtarët e sipërpërmendur edhe për faktin se kjo nuk është një sjellje korrekte për profesionalizmin e treguar nga këto lojtarë”, thuhet në reagimin e Kukësit.