Reprezentacioni i kadeteve të Greqisë është përjashtuar nga Kampionati Evropian për hendbolliste deri në moshën 17-vjeçare, që aktualishty po mbahet në Shkup.
Pas skandalit nga ana e përfaqësueses greke në ndeshjen e djeshme ndaj Maqedonisë, Federata evropiane e hendbollit (EHF), shumë shpejtë sot solli vendim që Greqia të suspendohet dhe dënohet.
“U hap procedurë kundër federatës greke dhe komisioni disiplinor vendosi se ato kanë pasur obligim ta luajnë ndeshjen sipas rregullores së EHF-së. Sipas nenit 7 nga lista e dënimeve të EHF-së; Greqia është prëjashtuar nga kampionati, ndërkaq sipas neneve 12 dhe 14.1 nga rregullorja, rezultati u regjistrua me 10:0 në favor të Maqedonisë. Greqia gjithashtu u dënua me 25 mijë euro, si dhe shpenzime të tjera që ndoshta duhet të paguhen. Komisioni ndaloi sjelljen e suspendimeve të tjera për federatën greke. Grekët kanë të drejtë ankese, por duke pasur parasysh se kampionati po luhet, ajo ankesë nuk do të ketë efekt”, kumtoi EHF.
Rikujtojmë se dje ndeshja ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë në palestrën sportive në “Kale”, zgjati vetëm 32 sekonda, pas çka greket u tërhoqën, sepse në fanellat e përfaqësueses “verdhekuq” shkruante Maqedoni.