Mesfushori shqiptarë, Keidi Bare vazhdon të konfirmohet gjithnjë e më shumë si pjesë e ekipit të parë të Atletiko Madrid. Mesfushori i përfaqësueses shpresa të Shqipërisë vazhdon të grumbullohet për turnetë miqësorë në të cilët merr pejsë ekipi i parë, me të cilin përgatitet që prej ditës së parë të fazës përgatitore për sezonin e ri.
Javën e kaluar, ai ishte pjesë e grupit që udhëtoi drejt Meksikës për të luajtur një miqësore me Toluka. Ndërkaq, të martën në darkë ai do të ketë mundësinë të luajë një imqësore shumë më prestigjioze, pasi është pjesë e grupit që udhëton në Gjermani për të zhvilluar turneun “Audi Cup”.
Atletiko Madrid në ndeshjen e parë do të përballet me Napolin e Elseid Hysajt për një vend në finalen e turneut dhe në listën e lojtarëve që Simeone zgjodhi për këtë ndeshje figuron edhe emri i Keidi Bares. Ndeshja tjetër gjysmëfinale e turneut, që zhvillohet po të njëjtën ditë (1 gusht), do të jetë Bajern Mynih-Liverpul.
Fituesit shkojnë në finale, ndërsa humbëset luajnë një ndeshje mes tyre për vendin e tretë, të dyja më datë 2 gusht.
Diego Simeone pritet që të aktivizojë të gjithë futbollistët, përfshirë këtu edhe Keidi Bare, i cili do të ketë mundësinë të tregojë talentin e tij në fushën e lojës kundër disa prej ekipeve më të mira në Kontinentin e Vjetër.