Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj ka rrëfyer për ” Sky”, momentet e vështira që kaloi gjatë kësaj pranvere me ekipin e Hamburgut që u mendua se do të binte për herë të parë në historinë e saj në Bundesliga II.
“Ishte një sezon shumë i vështirë, mbijetuam në fund, në një periudhë shumë delikate. Personalisht, besoja shumë se do t’ia dilnim, vetëbesimi është shumë i rëndësishëm për mua. Jam munduar të tregohem gjithnjë shumë i qetë në mendimet e mia, shpesh kam medituar dhe kjo është e rëndësishme për çdo futbollist, që të njohë më mirë veten dhe të gjejë qetësi të brendshme. Muajt e fundit të sezonit ishin të çuditshëm, shpesh mendoja se do të luaja sezonin e ri, në Bundesligën 1 apo 2, mendoja edhe për kombëtaren shqiptare, por gjithsesi jam mësuar, sepse shpesh në karrierë kam hasur situata të tilla”, u shpreh mbrojtësi kuqezi.
Mavraj ka folur gjithashtu edhe për përgatitjet që po bën ekipi gjerman për sezonin e ri.
“Kushte ideale, në çdo drejtim. Jemi përgatitur mirë fizikisht, por ambienti fantastik na ka bërë të ndihemi si me pushime. Nga ana mendore kjo fazë përgatitore na ka vlejtur shumë”, tha Mavraj.