Përforcimi i kësaj vere në rradhët e PSZH-së, Daniel Alvesh ka bërë një debutim ëndërrash në ndeshjen e tij të parë zyrtare me fanellën e Paris Sen Zhermenit. Braziliani shënoi një gol dhe asistoi në një tjetër në fitoren 2:1 të Paris Sen Zhermenit në ndeshjen finale të Super Kupës së Francës ndaj kampionëve në fuqi të Monakos.
Paris Sen Zhermeni doli fitues në këtë përballje shumë interesante, edhe pse të parët që shënuan ishin futbollistët e Monakos.
Ishte Sidibe ai që shënoi golin e parë në këtë ndeshje finale në minutën e 30-të, teksa parisienët të dy golat i realizuan gjatë pjesës së dytë. Fillimisht Dani Alvesh në minutën e 51-të barazoi shifrat në 1:1, që më pas i njëjti të asistojë edhe në golin e dytë të realizuar nga ana e Rabiot në minutën e 63-të.
Për Paris Sen Zhermenin ishte ky trofeu i 7-të në kuadër të Super Kupës së Francës, 5 prej të cilëve i ka fituar në 5 vitet e fundit. Në anën tjetër Monako këtë trofe e ka ngritur katër herë, teksa për heroin e këtij takimi, Dani Alvesh, ishte ky trofeu numër 34-të në karrierë, duke qenë në ndjekje të rekordit, që e mban një ish futbollist i PSZH-së, Maksuell (36 trofe), ndërkohë me 35 trofe në karrierë në vendin e dytë renditet futbollisti legjendarë i Mançester Junajtedit, Rajan Gigs.