Tifozat Kuq e Zi edhe zyrtarisht janë anëtarë të organizatës së përkrahësve evropianë të futbollit. Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të këtij tifogrupi, ku jepen detaje të funksionimit të kësaj organizate në mbrojtje të të drejtave të tifozëve.
“FSE është një rrjet i pavarur i tifozëve, i organizuar në mënyrë demokratike me anëtarë dhe grupe tifozësh nga 40 vende të Europës. Për më shumë se një dekadë, kjo organizatë mbron të drejtat e tifozëve në raport me institucionet evropiane e botërore të futbollit, UEFA dhe FIFA, gjithashtu dhe me institucionet Evropiane.
Anëtarësimi në këtë organizatë nuk është institucional, pra është plotësisht i pavarur nga organet udhëheqëse të sporteve përkatëse të Shqipërisë. Gjithashtu, anëtarësimi i TKZ-së në këtë organizatë pritet të lehtësojë qasjen tonë në institucionet ndërkombëtarë përgjegjëse për zhvillimin e politikave tifozërike anembanë Evropës dhe në interes të anëtarsisë së TKZ-së”.
Vlen të theksohet që organizata përbëhet nga vullnetarë të ndryshëm anembanë globit, me zyrën dhe stafin e saj në Hamburg të Gjermanisë.
Bashkë me urimin për anëtarësim, shprehim edhe mirënjohjen për secilin person që ka kontribuar drejt kësaj arritjeje!”, shkruhet në njoftimin e tifozëve.