Para pak çastesh trajnerët e të dyja skuadrave, Trakait dhe Shkëndijës kanë bërë publike formacionet me të cilat do të zbresin në stadiumin “LFF” në Vilnius, për të zhvilluar ndeshjen e raundit të tretë eliminatorë të Liga Evropa.
Trajneri Qatip Osmani ishte i detyruar që të bëjë një ndryshim në mesfushë, duke inkuadruar nga minuta e para futbollistin e talentuar, Enur Totre që do të zërë vendin e të lënduarit, Stefan Vujçiç, derisa në pjesën ofenzive në vend të Besart Abdurrahimit që luajti në ndeshjen e fundit në transfertë ndaj Helsinkit, vendosi të luaj me brazilianin Zhunior. Në krahun e majtë të mbrojtjes, do të jetë Çelikoviç, ai i cili do të luaj para Mevlan Muratit, ndërkohë përveç tij në repartin e mbrojtjes do të jenë edhe Cuculi, Bejtullai dhe Todorovski.
Në mesfushë përveç Totres do të jetë edhe Alimi, të cilët do të mundohen të kenë një bashkëpunim të mirë me treshen ofenzive të mesfushës, Zhunior, Hasani, Radeski, derisa më i avansuar si çdo herë do të jetë Besart Ibraimi, i cili do të mundohet të dalë fitues përballë golashënuesit më të mirë të Trakai, Maksim Maksimov, i cili do të udhëheq sulmin bashkë edhe me Bychenok dhe Dorley.
Ndeshja Trakai – Shkëndija starton në ora 18:30.