Skuadra nënkampione e Kosovës në futboll, Prishtina pritet që së shpejti ta zhvilloj një miqësore tejet interesante, ku si kundërshtar do ta ketë ekipin nga Italia, Xhenoa, pjesë e së cilës është reprezentuesi maqedonas, Goran Pandev.
Një gjë të tillë ka konfirmuar vetë klubi nga kryeqendra kosovare përmes faqes së saj zyrtare: “Klubi i madh italian, Genoa CFC, ka shprehur gatishmëri që ta zhvillojë një ndeshje miqësore me FC Prishtinën. Përmes një shkrese dërguar kryetarit tonë, Remzi Ejupit, Genoa CFC ka shpreh gatishmërinë për të zbarkuar në Prishtinë për ta zhvilluar një miqësore me skuadrën tonë më datë 5 ose 6 gusht. Me këtë rast, FC Prishtina ndihet e nderuar dhe shumë e respektuar nga klubi i famshëm italian, nëntë herë kampione e Italisë. Sigurisht se Bordi i FC Prishtinës do ta shqyrtojë këtë kërkesë të italianëve dhe brenda javës do t’i kthejë përgjigje”, shkruhet në faqen e Prishtinës.