Skuadra e Partizanit nga Superliga shqiptare ka prezantuar sot trajnerin e ri Mark Juliano, i cili është shfaqur në krah të presidentit Gaz Demi dhe drejtorit Luçiano Moxhi. Është ky një emër i njohur si futbollist, duke pasur parasysh se ka qenë pjesë e asaj gjeneratë të artë të Juventusit, ndërsa karriera e tij si trajner, nuk është edhe aq shumë e bujshme.
”Marr drejtimin e një klubi të madh, që duhet ta kthejmë në majë, të bëhet sërish më i rëndësishmi në vend. Presidenti është i lodhur nga mungesa e trofeve, ndaj më ka kërkuar fitore dhe trofe. Kam parë shumë ndeshje nga sezoni i fundit. Futbolli shqiptar nuk është fizik, si mendohet, sepse ka shumë lojtarë cilësorë” – tha Julijano gjatë prezantimit të tij.
Ai tha se skuadra në përgjithësi është e plotë dhe se i duhet një sulmues, duke shpresuar se deri me datë 10 gusht gjithçka do të rregullohet dhe se fazën kryesore përgatitore, Partizani do ta zhvillojë në Itali.
“Synimi im është të punoj taktikisht, ashtu si Panuçi dhe trajnerët e tjerë italianë. Ajo që kam vënë re, është se shpesh skuadra nuk ecën në një drejtim, ka konfuzion në fushë dhe mungesë harmonie në lëvizje. Kjo është ajo që duhet të rregulloj, jam i bindur që do t’ia dalim, nuk ka rëndësi nëse lojtarët janë të huaj apo shqiptarë. Skuadra është thuajse e plotë, na duhet sulmues, por deri më 10 gusht do jemi kompletuar. Shkojmë në Itali për fazë përgatitore, stafi shqiptar do ketë shumë rëndësi” – u shpreh Juliano, i cili sipas asaj që shkruajnë mediat shqiptare me vete ka sjellë edhe tre futbollistë italian.