Skuadra e elitës së futbollit kosovar, Liria që ndodhet për përgatitje në Ohër, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar edhe ndeshjen e dytë kontrolluese në qytetin turistik.
Të përzgjedhurit e trajnerit Blendi Shkëmbi, pas fitores në ndeshjen e parë ndaj Teteksit (2:0), sot mundën Pobedën nga Prilepi me rezultatin 2:1.
Ishin pikërisht futbollistët e trajnerit Zoran Shterjovski, që avansuan të parët në këtë ndeshje vetëm pas 6 minutave lojë, derisa Liria kthesën e bëri gjatë pjesës së dytë kur fillimisht në minutën e 60-të Artur Magani barazoi rezultatin në 1:1, ndërkohë golin e dytë dhe të fitores për Lirinë e Prizrenit e realizoi i riu, Zenel Gavazaj, ndryshe vëllai më i vogël i Enis Gavazajt.
Ndeshjen e rradhës Liria do ta zhvillojë më datë 29 korrik ndaj Struga Trim Lum me fillim në ora 17:30 në stadiumin e qytetit në Ohër, “Atina Bojaxhi”.