Florent Osmani është larguar edhe zyrtarisht nga rradhët e Skopjes. Edhe pse në fillim të këtij muaji erdhi si një përforcim i madh te skuadra nga “Hekurana” e Shkupit, ai largohet nga kjo skuadër vetëm pas 17 ditëve.
Arsyeja kryesore e largimit të futbollistit shkupjan, siç thotë vetë ai, është emblema e klubit shkupjan, që në vete përmban kryqin.
“Emblema e Skopjes është me kryq dhe unë gjithmonë e kam mbuluar atë që mos të shihet, ndërsa atë e kam bërë për shkaqe besimi. Një gjë e këtillë ju kishte ra në sy drejtuesve dhe trajnerit, të cilët gjatë gjithë kohës më shikonin me sy ndryshe dhe mund të them se më kanë injoru, edhe përkundër faktit se erdha si një përforcim i madh” – u shpreh fillimisht për “infOSport.mk”, Florent Osmani, i cili gjatë ditës së sotme ishte thirrur në një takim me drejtuesit e klubit, pas të cilit edhe përfundimisht të dyja palët kishin vendosur për të ndërprerë bashkëpunimin.
“Kryesia e klubit gjatë ditës së sotme më ftuan në një takim duke më njoftuar se kjo gjë që bëjë unë ju pengon dhe se nëse do doja të jem pjesë e këtij klubi do të duhet të mos e mbulojë emblemën dhe ta lë ashtu siç është. Unë jam praktikues i fesë islame dhe feja ime nuk më lejon një gjë të tillë, edhe pse unë gjithnjë e kam mbuluar vetëm pjesën e kryqit dhe jo tërë emblemën. Mirëpo pasi atyre ju pengonte edhe një gjë e tillë, unë vendosa ti them lamtumirë këtij klubi, pasi feja për mua është më e shenjtë” – përfundoi rrëfimin e tij për portalin tonë, Florent Osmani, i cili para se të vinte te Skopje, ishte pjesë e skuadrës së Lirisë nga Prizreni.
Osmani së fundmi në futbollin vendor ishte pjesë e FC Shkupit, ndërsa gjithashtu gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe me Gostivarin. Përveç Lirisë, ai jashtë Maqedonisë kishte luajtur edhe në Turqi, me skuadrën e 12 Bingölspor.