Barcelona falë futbollistit të saj më të përfolur ditëve të fundit, brazilianit Nejmar, arriti që të mund Juventusin në ndeshjen e parë në kuadër të “International Champions Cup”.
Nejmar realizoi të dy golat në fitoren 2:1 ndaj kampionëve në fuqi të Italisë, ku vlen të përmendet goli i tij i dytë personal, që vërtetë ishte kryevepër e brazilianit, i cili edhe pse u gjend para një ndër mbrojtjeve më të mira në futbollin evropian, ai thjesht vallëzoi para tyre, duke turpëruar që të gjithë, për të shënuar në rrjetën e Bufon.
E gjithë kjo ndodhi në minutën e 26-të, derisa golin e tij të parë në këtë përballje, Nejmar e realizoi në minutën e 15-të.
Juventusi golin e vetëm në këtë përballje të zhvilluar në “MetLife Stadium”, e realizoi gjatë pjesës së dytë, më saktësisht në minutën e 63-të, me anë të qendërmbrojtësit, Xhorxhio Kielini.
Ishte ky triumfi i parë për trajnerin Ernesto Valverde në një ndeshje me Barcelonën, skuadër kjo e cila në pjesën e parë u paraqit me një 11-she të përzier, ku në vend të Luis Suarez në sulm Lionel Messit dhe Nejmarit u bëri shoqëri Pablo Alkaser, ndërsa gjithashtu edhe në mesfushë Valverde kishte vendosur të inkuadrojë futbollistin e ri Samper, njëjtë sikurse edhe në repartin mbrojtës, ku në krahun e majtë në vend të Alba, luajti Dinje.
Në anën tjetër edhe Alegri luajti me një formacion të kombinuar, ku dyshja kryesore e sulmit, Dybala-Higuain në lojë u inkuadrua vetëm gjatë pjesës së dytë, njëjtë sikurse edhe golashënuesi, Kielini.