Lazim Destani është ndarë i kënaqur pas kualifikimit të Shkëndijës për në raundin e tretë eliminatorë, ku skuadra e tij arriti që të eliminojë një skuadër të njohur, siç është Helsinki. Numri një i skuadrës tetovare me aeroplan privat kishte shkuar për ta ndjekur këtë ndeshje, dhe si duket nuk kishte gabuar, pasi në fund u nda i buzëqeshur nga kjo transfertë në Finlandë.
Ai me këtë rast përmes një postimi në profilin e tij zyrtarë në “facebook” falënderoi futbollistët e Shkëndijës për kënaqësinë e ofruar në Finlandëm duke shpresuar se skuadra e tij do jetë me fat edhe në raundin e tretë eliminatorë, kur do të përballet me lituanezët e Trakai.
“Djemtë e Shkëndijës kuqezi na dhuruan plot kënaqësi në Finlandë, duke na bërë të kthehemi që andej të lumtur. Rruga e largët që e bëmë në mbështetje të tyre ishte e vlefshme për emocionet që na dhuruan.
Bashkë me miqtë e mi patëm kënaqësi ta ndjekim ndeshjen nga tribuna. Në Helsinki takuam bashkatdhetarë të shumtë që kishin dalë për të na pritur e për ta mbështetur Shkëndijën në këtë ndeshje te Europa Ligës.
Me këtë rast, për nderin e veçantë që na bëri, e falënderoj atdhetarin dhe mikun tim Omer Nura i cili gjendet me biznese këtu në Helsinki.
Urime për fitoren Shkëndija!
Suksese paçim në xhiron e tretë të këtij kompeticioni europian!” – kishte shkruar Lazim Destani në profilin e tij në “facebook”.
Rikujtojmë Shkëndija vitin e kaluar kishte kaluar edhe raundin e tretë, mirëpo më pas u eliminua në ndeshjet e “play-off” ndaj skuadrës belge të Gent. Shpresojmë se ky vit do të jetë më i suksesshëm për Shkëndijën dhe se do të bëjë edhe një hap më tepër, duke u kualifikuar për në ndeshjet e Liga Evropa.