Barazimi 1:1 në fushë të HJK Helsinkit i ka dhënë Shkëndijës kualifikim në raundin e tretë të eliminatoreve të UEFA Europa League. “Kuqezinjtë” kishin epërsi 3:1 nga ndeshja e parë në Strumicë, ndërsa në takimim e kthimit në Finlandë Helsinki avansoi 1:0 dhe kishte nevojë vetëm për një gol për të kaluar më tej.
Mirëpo shpresat e vendasve i fundosi Ivan Çelikoviç, i cili në minutën e 70-të me golin debutues në fanellën “kuqezi” fiksoi barazimin 1:1 dhe avansimin e Shkëndijës më tej me rezultat të përgjithshëm 4:2.
“Unë vërtetë ndjehem shumë mirë, por në fund të fundit ishte ndeshje e vështirë dhe më e rëndësishme është ajo se e realizuam qëllimin pas të cilit erdhëm këtu. Ajo është të kalojmë më tej, të hyjmë në raundin e tretë dhe pastaj çka të jap Zoti” – u shpreh fillimisht Ivan Çelikoviç, i cili foli edhe për golin e tij debutues me fanellën e Shkëndijës: “Mirë, goli i parë me Shkëndijën, falënderit Zotit nëse qenka shkruar të ndodh më mirë në Liga Evropa, ndërsa në kampionat sërish do të jetë Besarti, Besarti, Buba….por sërish anash golit, mirëpo më e rëndësishme është që ekipi kaloi më tej, kjo është më e rëndësishme se krejt. Sa i përket golit, askush nuk është më i lumtur se unë” – përfundoi kroati, Çelikoviç.
Shkëndija pas këtij suksesi, në raundin e tretë eliminatorë të Liga Evropa, do të luaj kundër skuadrës lituaneze të Trakai, që dje eliminoi suedezët e Nnorçepingut.