Po merr fund “telenovela” rreth emrit të ri të trajnerit në krye të Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Sipas asaj që raportojnë mediat shqiptare, do të jetë Kristian Panuçi, ai i cili do të zëvendësojë, Xhiani De Biasin në krye të Kombëtares “kuq e zi”.
44-vjeçari italian pritet të zyrtarizohet sot si trajneri i ri i ekipit kombëtar të futbollit. Ai
ka mbërritur gjatë mesnatës në Tiranë, ku sot paradite do të takohet me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, për të mbyllur marrëveshjen dhe firmosur kontratën e re, që do ta lidhë ish-mbrojtësin “axurr” me kombëtaren “kuqezi”.
FSHF ka lajmëruar për një konferencë shtypi sot në orën 11:00, ku do të bëhet edhe zyrtarizimi e prezantimit i trajnerit të ri. “Jam i kënaqur që kam mbërritur në Tiranë. Kaq mund t’ju them, për të tjerat flasim sot”, ka thënë Panuçi pas mbërritjes në tokën shqiptare. Objektivi kryesor i trajnerit do të jetë kualifikimi i ekipit kombëtar në Euro 2020, ndërsa sipas spekullimeve të bëra, mësohet se paga e tij mujore do të jetë 20 mijë euro.