Antonio Konte prej dje edhe zyrtarisht ka vazhduar kontratën me skuadrën e Çelzit, me të cilën skuadër sezonin e kaluar u shpall kampion i Anglisë.
Kontrata e vjetër e trajnerit italian skadonte në verën e vitit 2019-të, por palët kanë vendosur që ta shtyjnë atë edhe për dy vite të tjera, ashtu që ish trajneri i Kombëtares italiane do të mbetet në “Stemford Brixh” deri në vitin 2021.
“Jam shumë i kënaqur që kam firmosur kontratën e re me Çelzin. Kemi punuar shumë sezonin e parë dhe arritëm të fitojmë diçka të jashtëzakonshme dhe jam krenar. Tani na duhet të luftojmë edhe më fort për të qëndruar në majë. Tifozët e Çelzit më kanë dhënë një mbështetje të madhe që kur mbërrita në Londër dhe është e rëndësishme që të vazhdojmë të fitojmë së bashku”, tha Konte, i cili do ta ketë shumë të vështirë për të mbrojtur titullin e kampionit edhe gjatë këtij edicioni, duke pasur parasysh se rivalët e “bluve” nga Londra, Mançester Junajted, Arsenal Liverpull, Mançester Siti kanë bërë transferime tjera, me shpresë se do të zbresin nga troni Çelzin.