Shkëndija ka një epërsi të mirë nga ndeshja e parë e turit të dytë eliminatorë të Liga Evropa ndaj Helsinkit, kur drejt Finlandës do të udhëtojnë me epërsi 3:1. Kjo fitore ka ngritur edhe më shumë entuziazmin në skuadër, epërsia duket solide, mirëpo askush nuk guxon të mendojë se puna rreth kualifikimit është kryer pasi pasojnë edhe 90-të minuta të dyta, pas së cilave edhe zyrtarisht do të vendoset udhëtuesi për në turin e tretë eliminatorë.
“Jemi duke u përgatitur me përkushtim maksimal për sfidën e kthimit me HJK Helsinkin, pasi përkundër fitores 3:1 në takimin e parë jemi të vetëdishëm se kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës. Na pret edhe shumë punë dhe ne duam të vazhdojmë me tempo të njëjtë edhe në Helsinki. Skuadra vendase sigurisht se do të kërkojë shanset e veta, por ne jemi të gatshëm për të dhënë gjithçka në teren për të marrë rezultatin që do të na çojë në raundin e tretë”, – është shprehur sulmuesi i krahut, Marjan Radeski, në një prononcim për faqen zyrtare të klubit.
Radeski këtë edicion në ndeshjet e Liga Evropa ka realizuar dy gola, edhe atë që në ndeshjen e parë ndaj Daçias, ndërsa një gjë të tillë do të dëshironte të bëjë edhe në ndeshjen e së enjtes në Helsinki, ndeshje kjo që starton në ora 18:00.
Fituesi i përgjithshëm nga kjo sfidë në turin e tretë do të përballet me fituesin nga përballja midis Norçeping dhe Trakia.