Izair Emini do të luaj titullarë në ndeshjen e kthimit të turit të dytë eliminatorë të Ligës së Kampionëve ndaj Sherif Tiraspol në “Elbasan Arena”. Strategu i Kukësit, Ernest Gjoka është i vendosur për të luajtur me një formacion më sulmues në ndeshjen e kthimit, ku skuadra kampione e Shqipërisë do të kërkojë që të përmbys fitoren minimale 1:0 të kampionëve të Moldavisë nga ndeshja e parë e zhvilluar në Tiraspol.
Emini nuk luajti titullarë në atë ndeshje të parë, duke u inkuadruar në lojë vetëm në 7 minutat e fundit të ndeshjes, mirëpo tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe për dallim nga ndeshja e parë, kur Gjoka kishte aplikuar një lojë më të mbyllur, kësaj rradhe ai është i vendosur për të sulmuar kundërshtarin që nga minuta e parë.
Përveç Eminit, pjesë e formacionit të parë pritet të jetë edhe Nijas Lena, ndërsa sa u përket futbollistëve të tjerë të formacionit të parë, ai nuk dihet të ketë shumë ndryshime, dhe në përgjithësi do të jetë i njëjti sikurse në ndeshjen e parë.
Në portë do të jetë i pazëvendësueshmi, Enea Koliçi.
Mbrojtja po ashtu nuk pritet të ketë asnjë ndryshim, me Hallaçin dhe Rrumbullakun nga krahët e spanjollin Serran që do të jetë pranë Shametit. Në mesfushë, detyra për të thyer aksionet e kundërshtarit dhe ideuar daljet përpara të Kukësit i mbeten Musollit dhe Lenës. Në të majtë braziliani Kale është adaptuar mirë dhe do të zbresë nga minuta e parë dhe në “Elbasan Arena”, njëjtë sikurse edhe Guri, që do të improvizohet përsëri në të djathtë të mesfushës, ndërsa për të shtuar forcat në sulm do të sakrifikohet Hair Zeqiri, i cili këtë ndeshje do të detyrohet ta nisë nga stoli edhe pse performaca e tij ishte mjaft e mirë për aq minuta sa luajti. Vendin e tij do ta zërë futbollisti tetovari Izair Emini, që do të jetë dhe risia e formacionit. Sulmuesi do të jetë pas “bomberit” Pejiç, duke ju rikthyer modulit që është luajtur gjatë gjithë sezonit, 4-4-1-1.