Bardhi: Levante një familje e madhe

Enis Bardhi i cili prej dje edhe zyrtarisht është pjesë e skuadrës së Levantes nga elita e futbollit spanjoll, sot është prezantuar para mediave në Spanjë, njofton “infOSport.mk”.

Ai me skuadrën nga Valencia nënshkroi kontratë tre vjeçare, me opcion që të njëjtën ta vazhdojë edhe për dy vite tjera.

Pasi sot iu bashkua skuadrës dhe bëri stërvitjen e parë nën drejtimin e trajnerit Huan Ramon Lopez Muniz, Bardhi sot pas dite u prezantua nga ana e presidentit të klubit, Francisko Katalan.

“Falemenderit Levantes që më dha këtë mundësi. Kjo për mua është një ëndër. Kur unë isha duke luajtur në Evropianin për të rinj, mësova për interesimin e Leventes, mirëpo në atë kohë nuk mendoja shumë rreth transferimit, pasi atëherë po përjetoja një nga ëndërrat e mia. Nuk ka qenë e lehtë për të ardhur këtu dhe për të vendosur. Për këtë transferim i falenderoj agjentët e mi si dhe drejtuesit e Levantes për përpjekjet që bënë për të më sjellë këtu” – shpreh Enis Bardhi në konferencën për shtyp të organizuar për gazetarë.

Ai para gazetarëve tha se i pëlqen qyteti i Valencias, është një qytet i bukur, por mbi të gjitha i pëlqejnë njerëzit e këtij vendi.

“Është vërtetë një qytet i bukur, ndërsa gjithashtu ka edhe njerëz dhe tifoz shumë të mirë. Ky klub është një familje e madhe. Që në ditën e parë ata më kanë pranuar shumë mirë dhe besoj se do jemi miq të mirë për një kohë të gjatë. Ky është një fillim i mirë për të arritur qëllimet që kemi së bashku” – përfundoi Enis Bardhi.

Talenti 22-vjeçar te skuadra e Levantes erdhi nga Ujpeshti, për një shumë prej 1.5 milion euro, ndërsa rikujtojmë që karrierën e tij e kishte nisur te Skupi.

Leave a Reply