Muzafer Ejupi, e ka nisur me gol sezonin e ri në elitën e futbollit kroat. Autori i 14 golave të shënuar sezonin e kaluar me fanellën e Osijekut, shënoi në ndeshjen e javës së parë ndaj ekipit të Rudesh, që këtë vit siguroi një vend në mesin e skuadrave më të mira në Kroaci, njofton “infOSport.mk”.
Rudesh, pjesë e së cilës shumë pak mungonte të ishte edhe një futbollist tjetër shkupjan, Fisnik Zuka, ndaj Osijekut pati një paraqitje të denjtë, duke dëshmuar se jo rastësisht ka arritur që të siguroj një vend për në elitë. Ishin pikërisht ata që shënuan të parët në transfertën ndaj Osijekut, kur Kamenar në minutën e 66-të shënoi për 0:1, ndërsa nuk vonoi shumë dhe erdhi përgjigjja e Muzafer Ejupit, i cili nga afërsia me kokë arriti që të mposht portierin mysafir, pas topit të devijuar nga traverza, pas goditjes nga gjuajtja e lirë e Boçkaj.