Mesfushori Lukas Bilja edhe zyrtarisht është një futbollist i ri i Milanit. Argjentinasi 31-vjeçar kaloi me sukses kontrollimet mejkësore në bazën e “rossonerëve”, duke firmosur më pas edhe kontratën në fletë.
Tashmë ish klubi i tij, Lacio, nga ky transferim do të përfitojë 17 milion euro, plus 3 milion euro të tjera në formë bonusesh.
Bilja pjesë e Milanit do të jetë deri në vitin 2020, ndërsa argjentinasi bëhet futbollisti i 9-të i ri që i bashkohet Milanit në këtë afat kalimtarë të verës.
Drejtuesit e rinj kinez të skuadrës milaneze deri më tani kanë harxhuar plotë 200 milion euro në transferimin e futbollistëve si, Mateo Musakio (Viljareal), Frank Kesie (Atalanta), Rikardo Rodrigez (Volfsbur), Andre Silva (Porto), Fabio Borini (Sanderlend), Hakan Çalhanoglu (Bajer Leverkusen), Andrea Konti (Atalanta) dhe Leonardo Bonuçi (Juventus).
Megjithatë “rossonerët” si duket nuk e kanë ndërmend të ndalen këtu, ndërsa një gjë të tillë paralajmëroi edhe vetë drejtori i “kuqezinjëve”, Marko Fasone, i cili thotë: “Do ishte mirë që të merrnim ndonjërin prej sulmuesve si, Andrea Beloti, Alvaro Morata apo Pier Emerik Obamejang”.
Se cili prej tyre do të jetë futbollisti i rradhës që do të veshë fanellën “kuq e zi”, një gjë e tillë mbetet të shihet ditëve në vijim.