Renova dhe skuadra e re e inkuadruar në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, Struga Trim Lum sot në Ohër, në stadiumin “Atina Bojaxhi” zhvilluan një ndeshje kontrolluese, në të cilën trajnerët e të dyja skuadrave në fund ngelën të kënaqur me atë që aktorët dhanë në fushën e blertë, njofton “infOSport.mk”.
Ishte Renova ajo që në fund shënoi fitore me rezultatin 3:1, mirëpo duhet potencuar se edhe Struga Trim Lum kishte momentet e saj në këtë ndeshje.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale 1:0 të “gjipspunuesve”, falë golit të shënuar nga ana e Argjent Gafurit, mirëpo shumë lehtë mund të ndodhte që skuadrat në pushim të shkonin me barazim, në rast se Flamur Tairi ishte i saktë nga pika e bardhë.
Në pjesën e dytë, kur të dy trajnerët ju dhanë mundësinë edhe disa futbollistëve të rinj, Renova sërish ishte më e mirë dhe me golin e Burim Sadikut ngriti epërsinë në 2:0.
Këtij goli Struga Trim Lum iu kundërpërgjigjë me anë të ish futbollistit të Shkëndijës, Ardit Shaqiri, i cili shënoi për 2:1, teksa rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Renova 3, FC Struga Trim Lum 1, e vendosi Liridon Iljazi, me golin e realizuar në minutat shtesë të takimit.
Për Renovën, ishte kjo miqësorja e tretë që po zhvillon në kuadër të përgatitjeve që kjo skuadër po i zhvillon në Ohër, derisa për Struga Trim Lum, vetëm ndeshja e parë kontrolluese.
Rikujtojmë Renova kishte pësuar në ndeshjen e parë ndaj Pobedës (1:3), derisa në ndeshjen e dytë kishte mundur Gostivarin me rezultatin 5:2.