Skuadra kundërshtare e Shkëndijës, Helsinki nuk ka shkuar më shumë se një barazim në ndeshjen e javës së 17-të në elitën e futbollit finlandez.
Skuadra e Helsinkit barazoi 1:1 në transfertën ndaj Ilves, në të cilën ndeshje luajtën vetëm 5 futbollistë nga ai formacioni që zbriti në stadiumin “Mladost” të Strumicës në përballjen ndaj Shkëndijës.
Savage, Pelvas, Anan, Jalasto dhe Pirinen, ishin futbollistët e njëjtë, ndërsa gjatë pjesës së dytë trajneri Lehkosuo në lojë inkuadroi edhe golashënuesin nga ndeshja e parë, Jalloë si dhe mbrojtësin e djathtë Rafinja.
Ndryshe golin e barazimit për Helsinkin ndaj Ilves, që avansoi vetëm pas 60 sekondave lojë, e realizoi Pelvas në minutën e 52-të, ndërsa nga minuta e 48-të Helsinki luajti me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit të Janghoubi.
Rikujtojmë Helsinki në ndeshjen e parë ndaj Shkëndijës në Strumicë pësoi disfatë me rezultatin 3:1, ashtu që këto ndryshime në formacionin e tyre ishin të logjikshme, duke pasur parasysh se liderët aktual në elitën e futbollit finlandez, ende nuk e kanë dhënë fjalën e fundit sa i përket udhëtuesit për në raundin e tretë të Liga Evropa.
Megjithatë për të arritur një gjë të tillë, finlandezët do të duhet të sigurojnë një fitore të pastërt 2:0, apo edhe me më shumë se 3 gola, gjë kjo që është shumë e pabesueshme, duke marrë në konsideratë formën nëpër të cilën po kalon skuadra shqiptare e Shkëndijës, që është shndërruar në një zjarrë për skuadrat kundërshtare.
“Kuqezinjtë” në 3 ndeshjet e këtij viti në Liga Evropa, kanë shënuar 10 gola, ndërsa kanë pranuar vetëm një, edhe atë ndaj kundërshtarit të rradhës, Helsinkit, ndaj të cilëve me 20 korrik (e enjte, ora 18:00), skuadra tetovare do të zhvillojë ndeshjen e kthimit.
Ndryshe Helsinki sa i përket kampionatit finlandez, edhe përkundër barazimit të sotshëm mbetet lider i padiskutueshëm me 36 pikë, 6 më shumë se skuadra e dytë në tabelë, VPS dhe 9 më shumë se Lahti i vendit të tretë.