Skuadra e FC Shkupit vazhdon stërvitjet në stadiumin e saj në prag të sezonit të ri futbollistik. Trajneri Ardian Nuhiu është i kënaqur me atë që po tregojnë futbollistët e tij gjatë stërvitjeve, edhe përkundër temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vendin tonë.
Strategu i “bardhekaltërve” në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, tha se skuadra nga dita në ditë ka shtuar intensitetin e stërvitjeve, ndërsa ajo që kënaq më së shumti edhe vetë atë, është se futbollistët kanë arritur nivelin e duhur.
“Këto dy javë kemi punuar më tepër në akumulimin e forcës dhe ajo që është shumë e rëndësishme për skuadrën, vendosjen taktike, e që është bazë për futbollin. Sigurisht se nga dita në ditë kemi shkuar që të shtojmë intensitetin e stërvitjeve dhe shoh që futbollistët kanë arritur atë që edhe e kemi kërkuar nga ata. Normalisht se do ta kemi shumë më lehtë në Mavrovë, ku temperaturat janë më të ulëta dhe do të ndikojë në shtimin e ritmit të punës që do të bëjë futbollistët të kapin formën e duhur. Pjesë në vete do të jenë edhe ndeshjet kontrolluese dhe sigurisht secili nga futbollistët do të kërkojë të jep maksimumin” – tha Ardian Nuhiu në prononcimin e tij për faqen zyrtare të klubit.
Shkupi deri me datë 20 korrik do të stërvitet në Shkup, ndërkohë nga data 21 korrik ekspedita “bardhekaltër” do të udhëtojë për në Mavrovë, atje ku është paraparë që skuadra të zhvillojë fazën e dytë të përgatitjeve, ku veçmë janë përcaktuar edhe kundërshtarët e parë.