Milani i ri me pronarët e ri po frikëson të gjithë. Me kinezët në krye Milani është më ndryshe dhe i ngjan emrit, pasi kjo skuadër tashmë në “San Siro” si duket mund të sjellë çdo futbollistë që dëshiron.
I fundit që futet në listën e dëshirave të drejtuesve kinez, është mbrojtësi italian i Juventusit, Lenardo Bonuçi.
Kështu shkruajnë medat italiane, sipas të cilave “rossonerët” kanë biseduar me agjentin e futbollistit, Alesandro Luçi, ku është pyetur nëse futbollisti do të ishte i interesuar të kalonte në “San Siro”.
Megjithatë, dy klubet përkatëse nuk kanë kontaktuar njëri-tjetrin rreth transferimit të reprezentuesit italian, i cili edhe më herët lidhej me një largim nga Torino, mirëpo me destinacion, Premierligën angleze.
Megjithatë deklarata e tij se nuk do të largohet nga Italia dhe se të ardhmen e tij e sheh vetëm në “Serie A”, si duket kanë zgjuar interesimin e “milanezëve” që janë të gatshëm për të bërë çmos, që Bonuçi fanellën “bardhë e zi” ta zëvendësojë me atë “kuq e zi”.
Në këto tratativa drejtuesit e Milanit janë të gatshëm të fusin edhe Mateo De Shiljon, një futbollist që kërkohet nga kampionët në fuqi të Juventusit. Pikërisht i riu italian, mund të jetë lidhja mes këtyre dy klubeve kur është në pyetje Bonuçi, edhe pse ka disa thashetheme që Juve i ka kërkuar Milanit, qendërmbrotësin, Alesio Romanjolin si pjesë të një shkëmbimi, por kjo nuk është konfirmuar.