Trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani, i cili kishte një debutim ëndërrash në bankinën e Shkëndijës në ndeshjet e Liga Evropa, në konferencën për shtyp të organizuar para gazetarëve në prag të ndeshjes së turit të dytë eliminatorë ndaj Helsinkut nga Finlanda, tha se futbollistët e tij, në këtë ndeshje do të duhet të qasen më seriozisht, duke pasur parasysh edhe forcën e kundërshtarit. Sipas tij Helsinki është një skuadër më e fortë se Daçia, mirëpo qëllimi i Shkëndijës është që të vazhdojë më tej, ashtu që në të dyja ndeshjet ato do të mundohen të japin më të mirën, që në fund të gëzojnë gjithë ata armatë të tifozëve që kanë pas vetes.
“Pas kualifikimit në këtë raund të garave të Liga Europa ne e shfrytëzuam këtë periudhë për tu përgatitur për ti përmirësuar gabimet që patëm kundër Daçias, edhe pse ishin të pakta, por sërish kishte gabime. Në këtë raund na pret skuadra e Helsinkit e cila realisht është ekip më kualitative se Daçia dhe ndaj tyre duhet të qasemi më seriozisht. Një gjë të tillë ua thash edhe vetë futbollistëve ashtu që ne maksimalisht seriozisht e presim këtë ndeshje dhe nesër do të dalim për të nxjerë një rezultat pozitiv, nëse dëshirojmë të kualifikohemi për në raundin tjetër. Ndërsa kuptohet, dëshira jonë është që të vazhdojmë më tej”, deklaroi shefi i stafit teknik, Qatip Osmani.
Ndeshja ndërmjet Shkëndijës dhe Helsinkit zhvillohet nesër me fillim në ora 18:00 në stadiumin “Mladost” në Strumicë.