Kapiteni Ferhan Hasani edhe pse është i vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit të Shkëndijës në raundin e dytë eliminatorë të Liga Evropa, Helsinikit, ai dëshiron që skuadra e tij të shënojë fitore në ndeshjen e parë, që do ju hapte rrugën “kuqezinjëve” drejt kualifikimit të mëtejshëm.
“Përballë kemi një kundërshtar të fortë. Pas ndeshjeve që treguam në raundin e parë kundër Daçias edhe pse kishim rezultat të mirë, kjo nuk do të thotë se do ta kemi të lehtë në raundin e dytë, pasi kemi përballë kundërshtar të fortë. Mirëpo nëse përsërisim paraqitjet si në raundin e parë, me maksimumin e të gjithëve mendoj do të arrijmë rezultat pozitiv. Shpresoj në fitore në ndeshjen e parë, me të cilën do ta kishim më lehtë në ndeshjen e kthimit në Finlandë”, – u shpreh kapiteni Ferhan Hasani.
Numri 10-të i Shkëndijës realizoi golin e fundit në ndeshjen në transfertë ndaj Daçias, kur nga pika e bardhë vendosi rezultatin përfundimtarë Daçia – Shkëndija, 0:4. Ai edhe gjatë vitit të kaluar në ndeshjet e Liga Evropa, ishte ndër figurat kryesore të skuadrës tetovare, duke shënuar dy gola dhe duke asistuar në dy të tjerë.