Real Madridi dhe Bajerni i Munihut edhe zyrtarisht janë dakorduar për transferimin e kolumbanit në rradhët e skuadrës gjermane. Mesfushori i talentuar dy vitet e para do ti kalojë si i huazuar te Bajerni, ndërsa pas përfundimit të kësaj kontrate, “bavarezët” do të mund ta blejnë kartonin e tij, nëse dëshirojnë një gjë të tillë.
Të dyja klubet nuk kanë dhënë detaje lidhur me shumën e transferimit. Sipas “Marca”, Bajerni gjatë verës së vitit 2019-të do të duhet ti paguajë Realit të Madridit 60 milion euro, ndërsa gjithashtu gjatë dy viteve huazim ata do të
pagujanë pagën e plotë të futbollistit që kap vlerën e 6 milion eurove.
Mirëpo krejtësisht të kundërta janë informacionet e “Bild”, sipas së cilës skuadra kampione e Gjermanisë për huazimin e Rodrigez, Realit do të duhet ti paguajë 10 milion euro, ndërsa më pas do të mund ta blejë kartonin e tij në vlerë prej 32.5 milion euro.
Xhejms Rodrigez në “Santiago Bernabeu” kaloi 3 sezone, mirëpo nuk arriti që të zë një vend titullari. Interesim për shërbimet e tij gjithashtu kishin shfaqur edhe Mançester Junajtedi, Çelzi, Juventusi dhe Paris Sen Zhermeni.