Ekipi i Futsal Shkupit që këtë vit do na përfaqësojë në ndeshjet e “UEFA Futsal Champions League”, prej sot edhe zyrtarisht do të startojë fazën e përgatitjeve për sezonin e ri.
Në grumbullimin e mbrëmshëm, kryesia e klubit njoftoi stafin dhe lojtarët lidhur me plan programin e përpliuar për këtë vit, i cili do të jetë më i ngjeshur, pas pjesëmarrjes së tyre në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, që në program janë nga data 22 deri më 27 gusht.
FUTSAL SHKUPI MËSON KUNDËRSHTARËT NË UEFA FUTSAL CHAMPIONS LEAGUE
“Mbrëmë kishim grumbullimin e parë pas pushimit të merituar do të kisha thënë. Neve prej sot edhe zyrtarisht startojmë me përgatitjet për sezonin e ri, ku shpresojmë fillimisht të kemi paraqitje të mira në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, dhe më pas edhe në kampionat. Neve jemi debutues në Ligën më prestigjioze evropiane në futsal, mirëpo do mundohemi të japim më të mirën nga vetja. Besoj se me përgatitje të mira dhe përforcim të skuadrës në disa pozicione, mund të arrijmë suksese edhe në arenën ndërkombëtare, edhe pse prap do e them se për ne është ky viti i parë që do bëjmë gara në arenën ndërkombëtare, ashtu që duhet të futemi shumë të rezervuar në këto gara” – u shpreh për “infOSport.mk” njëri prej përfaqësuesve të klubit nga Çairi, Agron Fazlija, që ishte edhe pjesë e shortit të hedhur në Nion të Zvicrës.
Rikujtojmë Futsal Shkupi do të garojë në grupin “C”, bashkë edhe me përfaqësuesin e Maltës, Luxol St. Andreës, atë të Austrisë, Diamant Linz dhe përfaqësuesin izraelit, Makabi Tel Aviv.
Të gjitha ndeshjet skuadra “bardhekaltër” nga Çairi do ti zhvillojë në Linz të Austrisë, ndërsa me qëllim që sa më të përgatitur të presin këto ndeshje, lojtarët prej sonte do të startojnë me fazën e përgatitjeve që do jetë e ndarë në dy pjesë.
Pjesën e parë të stërvitjeve skuadra do ti kryejë në Shkup, në palestrën pranë SH.M.SH “Zef Lush Marku”, ndërsa për pjesën e dytë drejtuesit e Futsal Shkupit kanë vendosur që të dalin jashtë Shkupit, mirëpo pa precizuar ndonjë vend të caktuar, për të cilin do vendosin gjithë së bashku.