Një ndër mesfushorët difenziv më luftarak që njeh bota e futbollit, Gary Medel, është shumë fare pranë transferimit te skuadra meksikane e Tigres.
Sipas gazetës kilianie “El Mercurio”, mesfushori i Interit do të bashkohet gjatë ditës së sotme me skuadrën e tij të re, ndërsa të hënën pritet që të bëhet prezantimi i tij para mediave.
Firma në kontratë mund të vijë që nesër, teksa kanë mbetur të diskutohen detajet e fundit ekonomike.
Për Medel kishte shprehur interes edhe skuadra e njohur argjentinase e Boka Xhuniors, por klubi meksikan i Tigres ka fituar konkurrencën për mesfushorin shtatshkurtër.
Medel largohet kështu nga Interi pas tre vitesh, skuadër me të cilën regjistroi 109 ndeshje, një gol të shënuar dhe gjashtë asistime. Më herët në Evropë, Medel kishte luajtur edhe me Seviljën, me të cilën skuadër kishte regjistruar 94 ndeshje, 9 gola dhe 3 asistime.