Shtëpia e futbollit evropian sot ka bërë të ditur edhe datën e shpalljes së fituesve të biletave për Super Kupën e Evropës, që këtë vit për herë të parë në historikun e futbollit në Maqedoni, do të zhvillohet në Shkup.
Është pa dyshim ky një super promocion i vendit tonë, por njëkohësisht edhe obligim, që sa më mirë të organizojnë eventin më të rëndësishëm që ndonjëherë është zhvilluar në vendin tonë nën ëmbrellën e UEFA-s.
Kjo e fundit sot bëri të ditur se me 14 korrik përmes postës elektronike do ti njoftojë të gjithë fituesit e biletave që kishin aplikuar përmes sajtit të tyre zyrtarë, për të qenë pjesë e ndeshjes finale të Super Kupës, ku mejdanin do të ndajnë dy gjigandët e Evropës, Mançester Junajtedi dhe Reali i Madridit.
Ndeshja në fjalë do të zhvillohet me datë 08 gusht në “Telekom Arena” me fillim në ora 20:45, ndërsa gjithë ju që keni aplikuar mos e harroni datën 14 korrik për të shikuar postat e juaja elektronike, ku edhe do të gjeni përgjigjen përfundimtare nga ana e UEFA-s.