Shkëndija e Tetovës ka arritur në Moldavi për ndeshjen e kthimit që do ta zhvillojë të enjtën ndaj Daçias në kuadër të raundit të parë eliminator të Liga Evropës.
Shkëndija është vendosur në Kishinau, ambient ky i njohur për “kuqezinjët”, pasi tre vite më parë qëndruan në këtë vend kur u përballen me skuadrën tjetër moldave, Zimbrun. Tetovarët të mërkurën do ta zhvillojnë stërvitjen e parë në stadiumin ku do të luhet ndeshja dhe gjithashtu do të paraqiten edhe në konferencë për shtyp trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Ferhan Hasani.
Shkëndija ndeshjen ndaj Daçias do ta luaj të enjtën me fillim në orën 17:00 sipas kohës tonë lokale, ndërsa “kuqezinjët” kanë epërsi prej 3:0 nga ndeshja e parë e zhvilluar në Strumicë.