I goditur emocionalisht nga vdekja e babait dhe thuajse pa kurfarë përgatitje bazike këtë verë, kapiteni i Shkëndijës tregoi profesionalizëm të lartë dhe madhështinë e tij duke u paraqitur si titullar kundër Daçias, dhe ishte lojtari që “komandonte” në teren deri në momentin që trajneri Osmani vendosi ta tërheqë nga loja.
Nuk ka futbollist që në një periudhë të caktuar nuk përjeton krizë apo rënie të formës. Mirëpo lojtarët e mëdhenj nga tjerët dallohen me mënyrën e ngritjes, duke u kthyer të shkëlqejnë edhe në momente kur duken më të goditur. Kapiteni i Shkëndijës, Ferhan Hasani është shembulli konkret dhe admirues. Reprezentuesi i Maqedonisë të enjten shkëlqeu kundër Daçias në Strumicë, dhe përkundër faktit se nuk arriti të shënojë gol, ishte pikërisht ai forca bartëse e “kuqezinjëve”, deri sa 30-të minutat e para kur edhe u hodh në gjunjë kundërshtari, pikërisht kapiteni niste çdo aksion të rrezikshëm drejt portës kundërshtare.
Kjo nuk do të ishte asgjë e re për një futbollist me kualitetet e Hasanit, nëse nuk shtojmë detale të përjetimeve të tij dy javët e fundit. Hasani shkëlqeu në fanellën e Maqedonisë në miqësoren me Turqinë, mirëpo lëshoi takimin me Spanjën shkaku i një dëmtimi. Kjo e la atë jashta procesit stërvitor, ndërsa kur duhej të udhëtojë drejt Sllovenisë për tu bashkuar me skuadrën në fazën përgatitore, “Buba” goditet rëndë nga humbja e të atit.
Kështu ai nuk ishte fare me ekipin në fazën përgatitore dhe i lodhur fizikisht e emocionalisht, dukej se nuk do të jetë në gjendje të luajë si titular, deri sa mendohej të inkuadrohej nga pankina. Mirëpo ai si një profesionist i vërtetë fillimisht vendosi të paraqitet si kapiten bashkë me trajnerin në konferencën për shtyp para ndeshjes me Daçian, ndërsa më pas të enjten u nisi ndeshjen si titullar dhe gjatë 79-të minutave lojë deri kur u zëvendësua nga Abdurahimi ishte lider i skuadrës në teren. Kjo qasje e tij meriton respekt, pasi Hasani përveç përkushtimit që tregoi ndaj klubit, në të njëjtën kohë dha shembullin e një profesionisti të vërtetë. /”InfOSport.mk”